Nuk janë kaq të dendur e të shpeshtë qytetet për të cilët mund të thuash se kanë botën e tyre. Gjirokastra është një i tillë, ka aftësinë për të krijuar botën e saj, atë që mund të thirret “Bota e Gjirokastrës”. Qytet si pëllëmbë e dorës, kthyer më kurriz, me kodrat–gishta e me përrenj, nuk është i lehtë për t’u lexuar e thënë, veçse, le më për t’u parashikuar. Plot kode të lashtë e të papritura, ai shumë herë i ikën ditës, edhe për t’i bërë sfidë asaj. Ku vete; ka ku vete, në botën e tij. Edhe klima e tij është e çuditshme e shkallë – shkallë dhe ka që thonë se atë e ndan më dy vetë kalaja; lagjet pas saj janë më të ngrohta. Orientimi nga dielli ka qenë një nga parimet e ndërtimit në të; Qyteti që vështron nga dielli. Kur bie, dielli këtu duket sikur troket e dëgjohet; ka ditë që duket se e vesh malin me mjaltë. Faqja e kodrës që sheh diellin mbushej me shtëpi, e pasmja, e hijes, lihej e pazënë dhe kjo dallohet ende, me gjithë makutërinë dhe masakrën urbane. Prej shpjegimeve për emrin, më fort të pëlqen të besosh se emri ka qenë Ergjëri, që vjen nga argjend – ergjend, këtu. Bindesh po të jesh në fushë të saj në një ditë me mjegull, re e diell bashkë; ndrin si sermaja. Edhe shiu kështu nis e bie në të, gjersa këndohet,
Shiu me pika t’ergjenta, Nuse mos t’u laktë këmba, Sa të hiç në saraj brënda. Në sarajet brënda është bota më e vërtetë e saj. Por një pjesë e shtëpive – kështjella janë zbrazur e rralluar nga jeta. Edhe vetë kjo Botë, nën efektet e ecjes, ka një rrjedhje e një pakje. Por kjo nuk i ka prekur ende rrënjët dhe themelet. Rrënjët dhe themelet janë nën
dhé, në baltë, sikundër janë shumë ditë të vitit në mjegull kodra, lagje dhe çati të larta të saj. Për të zbuluar sado pak ndriçimin është formuluar dhe ky libër me brumë, të fshehta, paradokse e lashtësi të saj. I mbyllur më shumë se i shprehur, i llogaritur më shumë se
i hapur, i prirur ndaj etatizmit më shumë sesa ndaj populizmit e turmës, kështu është dhe qytetari i tij, i një tipi të veçantë. I dhënë ndaj meditimit e filozofisë, duke parë poshtë mjegullat, luginën e lumin e duke menduar për ç’kanë rrjedhur e ngjarë në këtë jetë, ky qytetar ka çaste që thotë, eh, Gjirokastër ishte njëherë. Në atë kah do të mundohet të shkojë ky libër.