“KRISMA E FJALËS” Shaban Cakolli

PËRMBLEDHJA POETIKE: “KRISMA E FJALËS”;SHABAN CAKOLLI

JEHONA E SHEKUJVE

Aty pran trotuarit
rrokaqielli përgëdhel yjet
më poshtë
nën hije purgatori
tenda e fshehur e mallkimit

Në guvën e shpirtit

Në guvën e shpirtit

Shpresa – ylber amshimi
ngrihet hark në qiell
nënë të cilin rrjedh
lumi i amshimit

Kush është ai trim
që mund ta kapërcejë
harkun e fatit të vet
që poemën e vet
ta dëgjojë për së gjalli

FJALA JUAJ

Në kujtesë do mbetet
ajo fjalë
që vjen maleve
me flakën e kushtrimit
heu
kush është trim
se ora ka ardhë
ujkun e çalë
ta heqim zvarrë
nëpër baltë

UNË  DHE  MALLI

Tërë natën bashkë
unë dhe malli

na mbyti halli
i kësaj jete jallane

Kur s’kam gjumë fare
ndez një cigare
brengat t’ kthej në tym

DROJA

Druaj se djalli
me xixa stralli
na vizaton yllin
midis balli

Vijnë pastaj hijenat
t’i grisin pelenat
e foshnjeve të palindura
.

Këta klysh popi
soji e sorrollopi
që të pijnë gjak populli
shekulli s’i ngopi

Në këtë rreth harkor
të rrugëtimit mizor
vetëm lëmshi i fatit
na mbeti në dorë

FJALA E HUMBUR

Mbeta pa fjalë
a ditën kur jam nisur në jetë
rrugëve të paruugë
në dritë e mugë

Në guvën e shpirtit
ndryer është qe një shekull
e betuar nën dritë qiri
para ikonës sate
liri

KAPTINA  II
GJURMË PAS GJURME

E GJATË KJO NATË

Sonte
gjithçka po fle në qetësinë ë vet

Në dhomën time
qielli i ka ndezur fanarët
të mos tremben
qelizat që tajisin
lëngun e jetës

të gjatë shekujt
që flejnë dhomat flejnë qytetet
sonte gjumë nuk kanë vetëm poetët
bëjnë qarqe,
nëpër vargje
të regjur si gëzofet
shkrihen në vuajtjet e popullit.

E NDIEJ HUMBJEN

Viti shkel vitin
pesha bie
pingul në shpirtin tim
tretur në mërgim

Një pjesë e diellit
m’ është shkëputur
nga qielli i bebëz
nga hija e lotit tim
derdhur
në dhe të huaj

Nëse unë s’ kthehem
hija ime do të bredhë
trotuareve të nbotës
pas mallit tim

Për çdo natë
e bëj nga një shtegëtim
në mendje
për në shtëpi
për amanetin e nënës
para se të japë lamtumirën
pranverave të ikura pa kthim

HALL MBI  HALL

Turma shkojnë
turma vijnë
mbijnë si bari i keq
në faqen e blertë të globit

Prej shekulli në shekull
kërkojnë lëmoshë
trotuareve të fatit

Trokasin në portë të hapur
kastat luksoze
të ngopura parfumnesh
të një biznesi të ndyrë

ORA  JONË

Gjurmë pas gjurme
bjeshkë pas bjeshke
na ndoq sopata shpatën
nëpër shekuj

Këtu varrë e atje varrë
më bëhet shpirti mulli ere
në skëterrë pas skëterre
deri kur të bredh me bredh
kështu,o shpirti im?
nga të palarat
e botës pelim

Këtu s’ jam
atje s’më lënë,
o nënë

qenia ime e ndarë në dysh
në udhëkryq

E BUKURA   MORE

Moj e bukura More
si të lash, e më s’të pash
si të lash, si të lash
si të lash, e më s’të pash
(popullore)

Ec nëpër të kaluarën
për ta gjetur të ardhmen
ëndërro shqip,
frymo shqip
o Arvanit

Hy kalabrisht
i dehur mendimeve
arbërisht
e jetën vazhdo
prore
e dasmën
bëje pleqërisht

Edhe varrin hape
me E bukura More

Rro sa malet
me dhembjen shkëmbore
buzë detit
me shikim të humbur
nga e bukura More

TY QË PO VJEN

Në këtë botë
erdhëm njëlloj
me rregullat e ngurta
të natyrës

A lejon natyra
pamjet me dy fytyra

Njëri maskë
laraskë
në atë degë të fatit
që çukit
kokrrat e inatit

Me kurriz për murriz
tjetri kruan
unazat e shekullit

LAMTUMIRË

Tërë kohën u rropate
për këtë jetë bajate
ndërtoje kulla prej letre
rrokaqiej e pallate

Atë që bëje ditën
rrënoheshin brenda nate

Falë të qoftë
o miku im
ky mashtrim

MORT

Të etur për gjak
këta barbarë
edhe në ëndrrat e tyre
hapnin varr

Po nga varri i tyre
s’ do mbijë as fije bari
vetëm ndonjë gjethe ançari
mund ta sjell
era nga shkretëtira

KËNGË NË DARDANË

Metush Krasniqit

Në Dajkoc
e në Dardanë
anembanë
këndohet një këngë
përjetësie

Këndon bilbili
maje lisit
për një legjendë
që e lindi fisi

Këndojnë në kor
shkëmbi
e lumi
duke rënë
nëpër fushë
për shqiponjen e Krasniqes
në qiellin e kuq
të Kosovës

KOSOVËS

Kosovë
copë fushe e Edenit
me përmasa ëndrre
me qiellin
përplot shqiponja
që ngrejnë qerdhe
nëpër zemrat tona

PËR TY DRITË

Flakadan lirie
që n driconte nëpër zemrat tona
me shekuj

Shekull pagjumësie
është ky
c’ të bëjmë me ty
në cilin qerpik
si në shandan
të vëmë
në cilin qiell
të bebëzave tona
të grisura

Tokë e shenjtëe
e Kosovës
me këtë florë
të kuqe gjaku
me xixëllonja stralli
që dalë kanë
nga nga limfa jonë

NË BRENDI

Këndej gjithë zjarr
e andej akull
vetëm gjurmë
e kthtërave
të stinës në xham

Zjarri djeg
leckat e stinës së ikur
nga fryma e detit
të strukur në gjethe bajameje

Një syth ëndrre
zënë e ka zogun e bilbilit
në kafaz

E GJATË KJO NATË

Sonte
gjithçka po fle në qetësinë ë vet

Në dhomën time
qielli i ka ndezur fanarët
të mos tremben
qelizat që tajisin
lëngun e jetës

të gjatë shekujt
që flejnë dhomat flejnë qytetet
sonte gjumë nuk kanë vetëm poetët
bëjnë qarqe,
nëpër vargje
të regjur si gëzofet
shkrihen në vuajtjet e popullit.

AS NË JETË;AS NË VARR

Më humbi shoku i shpirtit
e zhdukën pa gjurmë
këlyshët e ferrit

S’ është askund
as në jetë
as ndër varre.
s’është më hija e tij

Ai s’është askund
se është gjithkund
duke u dhënë shpirt
gurit e drurit

KAPTINA   III
ZJARRI QË KA KOSOVA

LETRA  E NËNËS

Më çoi nëna letër

shkruar më kishte
me lotët e saj

Liqe i pafundë
dukej pika e mallit
që derdhur ish
nëpër fjalë

Më shkroi nëna letër
dhë një liqe malli
e ktheu në avull
vetëm me një fjalë

RRUGËS PËR NË QIELL

Sa herë mbi çati
na këndonte korbi
nëna e mallkonte
thoshte: këndon morti

Shenjat e shenjta
të krahut të shqiponjës
u dukën në qiell
dhe në palcën tonë
rrymoi liria

ERDHI  ORA

Pabesitë e bardha
nga shekulli në shekull
mallin për liri s’na shuan

Brigjeve të ëndrrave
u përplas akullnaja
në rropulli
u trand liria
e ujqërit uluritën
e bjeshkët gjëmuan
e u trembën majet me dëborë
se erdhi ora
e flakës së pashuar
të zjarrit ilir

Dielli ka shndëritur
qiellin e zemrave tona
se jehoi zëri i Ademit
se Hamza i zu pritën
jehut të kushtrimit

i gjallë apo i vdekur
i Besëlidhjes së Gjergjit
jam për jetë

NË UDHËKRYQ

Këtej vihet
andej shkohet
rrugët tona
s’mund të ritakohen.
në brendi
shpalos kujtimin
tëndin dhe timin
i vogël është hapi im
pafund
veç mall e trishtim.

PËRSE MË IKE

Më ike
o mike,
me mëngjesin
e vjeshtës
më le
me hirin e mallit
të ruajë
atë gacë të fshehur
të dashurisë

Mbeta në udhëkryq
të dashurisë
me sy kah qielli
duke pritur
pikat e lotëve të tu
që do t’i sjellin
retë ë kësaj vjeshte

E VËRTETA

Kur kreshnikët tanë
i hapën hartat
atyre në duar
iu dogjën kartat

Lartmadhëria
mbet lakuriq
para pasqyrës
u bë gaz i botës
karikaturë e gjallë
që të bën më lot
të qeshësh

Gomari që shtihej ujk
mbeti pa lëkurë
dhe filloi të pëlliste
deri në kupë të qiellit

Vetëm kur në gjyq
e depozitoi mendjen
u pa sheshit
se burri i botës
për mburrje e kishte
trurin e gomarit

ETIKETA MIRËSJELLJEJE

Atyre iu iu dridhej buza
e u kruhej zuza
tek flisnin me romuza
për luftën e madhe

Urrenin njeri-tjetrin
tek i lanin faqet ndërsjellë
me pështymën e puthjeve

Biografitë plot akuza
kandidatë për biruca
që kur lindën nga lluca

Trima para pasqyrës
para kufomave
dhe dhomave
që kundërmonin ligësi

LOT  KOSOVE

Sllav e shkja
dhe djalli i zi
na lakmuan edhe gjelbrimin
e fushave tona
në sy

As me vetëveten s’ lanë
të flisnim njerëzisht
për njerëzimin
se njerëz s’ishin

Shkilnin tokën tonë të bukës
me thundrrat e tyre
me brirë therrnin
qiellin e kaltër
të bebëzave tona

Zjarrin që ka Kosova
për liri tund dheun
dhe shpërthen
deri në qiell
duke djegur e pjekur
mustakët e miu
në fytyrat satanike

Kur shiu i lotëve pushoi
rreze lëshoi liria
dhe me foshnje u mbush shtëpia.

TRIMAT

Zjarrin që ka Kosova
s’e ka Etna
as vullkanet në Tokën e Zjarrtë

Aty ku shpërthen zjarri
ngrohet shqiptari
me flakën e lirisë

Më bënë trim dhe mua
ushtri e rritës
roje e Kosovës
dhe e shkëndijave të gjakut
Mbrapsht në krye Shko poshtë

KAM NJË HALL

Kam një hall
më të madh se lumi
me netë të tëra .
s’më zë gjumi
kështu dje
kështu sot
i përgjumur nëpër glob
mbuluar prej luksi

Anonim
në azil
pa mik e me myk
i mbyllur në terr
endem nëpër vetëvete
në anonimitet rroj
e vdes ngapak
çdo ditë

EMËR I NEMUR

Udhëtarë të territ
hyjnë dhe dalin
nga dera në derë
ecin për teh të thikës
duke u përpjekur
të kërcejnë në humnerë
hapur në anatemë
si fëmijë të humbur
thellë në pyll
lajkash e trishtimi

U lexohet në dritën e syve
mallkimi i territ
ngrysen e gdhihen
me një vel mërzie

Nuk kanë shteg as prag
s’dijnë kah nisen,
as ku ndalen
me këtë rrugë muge
emër të nemur
gurbet
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit

JETË PA SHIJE

Kam etje
si në dimër
ashtu në verë

Tablo e recetës sime
e pij qumësht
më bëhet vrerë
ha bukën
më bëhet gurë.

Para syve perde muge
kjo është panorama ime
në muzgje gjumi

Menu e pashkruar
me një përzgjedhje
për oreksin e humbur të ditës

JETË  E VAJ

Rrodhi përrocka ujë loti
rrodhi kot së koti
kur ndryshoi moti

Në katër anët e globit
rri buzë trotuari
duke shikuar
ndërrimin e ngjyrave në semafor

Kërcitën kockat nga reuma
kur filloi riga e shiut
të bjerë nga ai qiell kuq e zi

Në gjysmë u ngrit flamuri.
flamuri i kuq
i larë me gjak
për këtë jetë të pafaj

KAPTINA IV
ËN QIELLIN E HUAJ

MËRGIMTARI

Larg atdheut
larg shtëpie
të shkuan vitet
sikur hije

Vetëm agimi i djalërisë
hap portën e kujtimeve
dhe në fushat e bleruara
të viteve
një çunak këmbëzbathur
mbledh Lulenarçizi

E shkurtër është jeta
si një shirit celuloidi
që fillon në kujtime
dhe mbaron në një beze të bardhë
në murin e moshës

Imazhe gri
si bryma e flokut tënd
ngrin e shkrin në lëvizje
të përhershme
të ëndrrës

.
Rini e thinjur
stacioneve
presin e përcjellin
vagonat me radhë
që bredhin nga stina në stinë

NËN QIELLIN E HUAJ

Ky qiell mbi rrokaqiell
dhe jeta jonë drith e miell
brenda mureve të betonit
vyshket e pafaj
në këtë nënqiell

Deri në asht unë kam acar.
dhe duhet të mbulohem
me një re të trashë tymi
ose të pëlcas si tollumbace
në duart e një fëmije bonjak
e gjuajtur
nga një shigjetë acari

Zemra ime e mërdhirë
del gjysmëlakuriqn të shëtisë
nëpër kopshtin e mbuluar me vesë

BUZË  LUMIT  RAJNA

Buzë lumit Rajna
mbi syprinën e ujit
hijen mallit e ndeza
tani jam pa hije
i lehtë si avulli
si një hije malli
që ka rënë mbi ujë

ME  SHTEGTARËT

Bashkë me dallëndyshet
u nisëm
për një ditë shtegëtimi

Kaluam fusha
lumenj dhe detra
për ta gjetur folenë
e stërgjyshërve pellazg

Kur vinin pranverat
dhe bora shkrihej
në diell shfaqej
strofulli i lashtë
në një dege të tharë

KUR  DOLA PREJ  SHTËPISË

Kur dola prej shtëpisë
ia dhash flakën rinisë

Si qen e tërbuar
lehte uria
e skamnorit
në dheun e huaj

Erdhi koha për t’ u nisë
dhe i thash nënës
të ma varë atë bazybe
në qafë
që të më ruaj
nga syri i keq i mërgimit

Zemra e nënës
u vyshk për një minut
siç vyshket lulja nën brymë
dhe zemra e mërgimtarit nga malli

Një vaj i padukshëm
ma dridhi buzën
dhe s’ mund të them
asnjë fjalë malli
për tokën që po e lë

Jetë e namur
sot për nesër
me rininë e humbur viteve
të njomura me lot

Vitet shënohen
me hijeroglifet
për historinë fatkeqe
të brezave që po vijnë

MALLI PËR KROIN E FSHATIT

Ngjiten vashat shpatit
shkojnë te kroi i fshatit
të buta si delet
i zbukurojnë belet
kur ngjesin kordelet.

Qafat me rruzare
n’kostume shqiptare
qëndisur me rreze

Kroi i fshatit
ujë rrjedh teposhtë
nga fushat
për t’i çmendur çunat
për t’i joshur çupat

Tani më zgjon etjen
në këtë tokë mërgimi
malli më djeg shtatit
për kroin e fshatit.

NËNË  MOJ NËNË

Kur u ndava nga ti
o nënë
qava natën e tërë
se kisha mall
për një fjalë tënden

Kur m’i këndoje ninullat
o nënë
në gjoksin tënd.
fluturoja në qiell

Më ty për dore
hapëroja nëpër oborre
dhe sot
më merr marrë malli
të më marrish përdore.
o nënë

Rrudhat e pleqërisë
sa të hijshme i kishe
si vija të dritës të yjeve në qiell
në netët plot hënë

Sa më ka marr malli
për një bukë
nga dora jote.
o nënë
për një bukë misri
me shije fëmijërie

Si zgavër lisi
zemra më është bërë
ke era fsheh borën
për flokët e mia

Edhe zogjët e malit
nëse më thërrasi
t’ i lot mos lësho
qëndro dhe më prit
se do të kthehem një ditë.

NË VIZION

Në një kopsht në Osnabrück
me një me një dallëndyshe u bëra mik

Zemra bëri benë
se do t’ia ruaj folenë
derisa të kthehet nga shtegëtimi

Iku duke më përshëndet
me krahun e lehtë.
zogu i shkretë

Kalon detëra edhe toka
të sjell të fala
nga Shiroka

N’ ma pashë nënën me lot në sy
ajo qanë edhe për ty:

I ZHDUKUR

Një gotë verë
një cigare
si në odat
shqiptare
shuaj mallin e vendliondjes

Pa shtëpi e katandi
shterg i humbur
në stinë vjeshte

Jam shumë larg
vetë syrgjyn
me një gotë
dhe tym duhani
rendis ditët
në rruzaret e vitit

KUSH  JEMI

Kështu ishte
kur jetë
bënim me dreqërit

Brejtësit na e grisnin
dokumentin e identitetit
të mos e njohim
as shembëlltyrën tonë
në ujin e pusit

Na pyesnin: Kush jeni?
nga vini?
a ke dëshmi
për identitet

Ja këtë kartë ndërkombëtare
se këtu kemi ardhur
nga ferri ynë
se jemi në thelb
origjinal

VIZIONARIT

I.Rugovës

Jeta
hije e vogël
Për ëndrrën tonë
të madhe

Mbyll një portë
hap një portë
për të dalë në një moshë tjetër

Edhi dita
t’ mbledhim frutet
në atë pemë të jetës
në mungesën tënde

Dita e dhimbje se madhe

N’shekuj morti
u rritën brezat
duke pritur
të vish ti
me një fanar ardhmërie në dorë

Tani një diell i kuq
rri varur
në atë degë të
të bleruar
në pemën e jetës

Ai iku
po një brerore lirie
ndriçon përjetësisht
në atë afresk
me portretin tënd

ANTIHISTORIKE

Sa herë ia shikoj fytyrën
mësuesit të historisë
më bëhet se lexoj
një pergamenë të lashtë
të zhubrosur nga vitet

NË FLAKËN E KUSHTRIMIT

Në kërkim të fatit

Znj. Reile Hildebrandt

Sa shumë lustra fjalësh për paqaën
po botës s’ia ndërron fgaqen
prej mesjete
ne histori
s’ia ndërron kush numrin
kësaj flete
të lirbrit të fatit

Karvane të pandalura
nëpër rrjeta rrugësh
të labirinthit në Ballkan
jetë insektesh bënin
nëpër shekuj

Nga muri kinez
deri te Muri i Berlinit
nëpër gjurmët e hirin
fati shtijohej
nga brezi në brez

Edhe sot
nën harkun e fatit
rrjedh ai lumë i pagjumë
njerëzish
për të dalë
në atë fushë jeshile të Edenit Continue reading →

Interviste me Pano Tacin

Është 82 vjeç. Hokatar dhe nursëz. Vetullkërleshur e vështrimin pishë në sytë e futur thellë në zgavra. E vendos cigaren e radhës në çibuk dhe e thith fort si të ishte e fundit… Poeti i pazakontë, Pano Taçi, ka zgjedhur të më rrëfejë ca “sekrete” të jetës së tij sot. Është data 4 gusht, ora 11:00 e paradites.
E takoj rastësisht në bar “Lux”. Kisha dëgjuar shumë legjenda për të. Poeti endacak. Bohemi. Shpotitësi. Një mal me halle njeri. Jetënxirosuri. Dashnori pasionant. Vagabondi i kohës së komunizmit. Poeti i rrallë, i veçantë, i pakrahasueshëm. Njeri me botë të pazakontë. Ata që nuk e njohin, kanë një mundësi sot përmes kësaj bisede që do të zhvillojmë bashkë me Panon. Kërkoj shoqërinë e tij, dhe pranon plot gëzim. Më thotë se ka gati një libër të ri me poezi. Është i paduruar të m’i tregojë. I nxehti ia çon djersën çurk. Një ambient me ajër të kondicionuar dhe një birrë…? Është idealja në një takim si ky me Panon. Sa ulemi e pyes si është me shëndet dhe më thotë se është top. “S’më gjen gjë… vdekja s’guxon të afrohet”, – më thotë dhe qesh….
Duket ka vendosur të më lërë gojëhapur. Pasi, kur unë me keqardhje e pyes se kush kujdeset për të këto ditë të pleqërisë së vonë, merr një qëndrim pozant dhe më thotë “…dashnorja ime. Unë bashkëjetoj prej disa kohësh me të. Quhet Drita. Është e bukur dhe ma do shpirti…”.
Më thotë se ka marrë një shtëpi me qira diku në zonën e ish-frigoriferit. Ma përshkruan me imtësi hapësirën e kësaj shtëpie, dhomën e gjumit, korridorin, kthinën ku mund të gatuhet, banjën… “Është shtëpi e rregullt. Jetoj mirë”. Me ç’para e paguan? – e pyes. Më thotë se merr pensionin e shkrimtarit. “Ma ka dhënë Saliu. Ma dhanë që në kohën kur ishte ministër Bujar Leskaj… Por kam edhe pensionin e zakonshëm. Bëhen diku rreth 30 mijë lekë të reja”. Po pse je pa shtëpi Pano? Nuk ke pasur kurrë shtëpi tënden? – e pyes. Ai hesht një grimë kohe dhe nis të më rrëfejë një histori që duket e trazon tepër…
“Jo, e kisha. Por ma shembën. Në vend të saj është ndërtuar një pallat i madh. Unë nuk isha në atë kohë këtu dhe motrat e vëllezërit e mi e këmbyen me nga një hyrje për veten e tyre në atë pallat. Unë mbeta pa shtëpi. Tani jam në gjyq me atë ndërtuesin. Sepse avokati im më ka thënë se më takon të paktën një garsoniere”. Në ç’fazë është gjyqi? – e pyes. Dhe përgjigjet gjithë shpresë “është në Apel…shpresoj ta fitoj…”. Ngulmon se është e drejta e tij të ketë një shtëpi aty, ku dikur ishte shtëpia e prindërve të tij. Se në të vërtetë, atij vetëm pak kohë i qëlloi të jetonte në të. Kjo për arsye, siç tregon me zërin që i dridhet, “se e kalova jetën time në burgje e internime. Nuk më donte regjimi mua. Kisha sjellje borgjeze. Kështu më thanë në fillim. Pastaj bëja agjitacion e propagandë, pastaj shkruaja edhe poezi të rrezikshme… kish gjithfarë arsyesh regjimi për të mos më dashur mua…”. Pano vë buzën në gaz kur flet për këto gjëra. Duket sikur gjithë jetën e tij shaka ka bërë me rreziqet që i kanoseshin, me vështirësitë, me disfatat e mëdha…edhe pse shumë prej tyre janë kanë copëtuar zemrën… Por le ti marrim gjërat me rend.
Flasim fillimisht për poezinë dhe për vëllimin e ri poetik.

Pano, kur i ke shkruajtur këto poezi?
Kam 2 muaj e gjysmë që e kam përfunduar këtë libër. Ka poezi të reja, por edhe ndonjë poezi që e kam shkruajtur herët dhe e kam ripunuar. Unë shkruaj çdo ditë dhe kam oraret e mia të përcaktuara kur shkruaj poezi…

Kur shkruan?
Rreth orës dhjetë e gjysmë shkoj te “Tajvani”. E kam temën në kokë. Dy vargjet e para..dhe pastaj ulem e punoj poezinë…por punoj edhe te kafe “Evropa”. Aty shkoj gjithmonë, pasi kam dy kafe gratis çdo ditë nga pronari…Rri aty deri nga ora dymbëdhjetë e pastaj shkoj te “Guva” dëgjoj muzikë. Pi….deri nga ora dy-tre. Pastaj shkoj në shtëpi, shoh ndonjë film dhe fle gjumë deri në tetë e gjysmë…”.

- Të darkës? – e pyes e habitur…

”Jo moj jo, të mëngjesit”, – thotë dhe fillon të qeshë me të madhe. Ishte itinerari i tij i darkës ky… Pra Pano Taçi, 82 vjeç, bën jetë nate rregullisht dhe poezitë e tij i shkruan mbrëmjeve vonë… jo në shtëpi, apo i mbyllur në ndonjë kthinë… por lokaleve, ku zhurmon muzika e vajzat e reja ekspozojnë hiret e tyre. Nëse i lexon poezitë e tij bindesh menjëherë, pasi është e dukshme se frymëzimi nuk vjen nga një ambient dosido… Ja disa vargje nga jeta e tij e natës:

Dhe pse jam plak, ma do ky shpirt,
të bëhem sonte, sërish djalë.
Tym më nxjerr koka për një flirt,
si plak pa lek, s’bëhet fjalë.

Them t’ia ndaj lekët pensionit
Për një vromë me minifund,
që peshkon te guva e Gjonit
të zë në grep, xhepat t’i shkund….

E pyes Panon për jetën që bën aktualisht dhe përgjigjet e tij janë aq të drejtpërdrejta e të sinqerta sa ta trazojnë ndërgjegjen. Është njëherazi shakator dhe tragjik. I papërsëritshëm…

Pano, ku jeton?
Nuk kam shtëpi. Shtëpinë ma shembën, para tre katër vitesh. Unë isha në Maqedoni. Të mitë morën nga një hyrje në pallatin që u ndërtua. Ndërsa unë mbeta pa shtëpi, pasi unë nuk kisha nënshkruar kontratë. Por ata nuk duhet ta kishin shembur pjesën time pa më marrë leje mua. Ishte shtëpia që na kishte lënë babai. E hodha në gjyq ndërtuesin, por ma rrëzoi shkallën e parë tani jam prapë në gjyq me të….

Pra je pa shtëpi…
Jetoj me qira. Paguaj 120 mijë lekë (të vjetra). Ndodhet te ish-frigoriferi. Është një dhomë, paradhomë, banjë dhe një aneks për gatim…

Jeton vetëm aty?
Vetëm kam jetuar deri para pak kohësh. Por tani jam lidhur me një ish-dashnoren time. Ka qenë në Itali ajo, pati ikur me gomone, por i dolën dokumentet false dhe e kthyen. Drita quhet, nga Përmeti. Është kushërira e poetit të famshëm, Lame Kodra. E kam dashur shumë, dikur…i kam kushtuar poezi asaj. E kam njohur tek Fideli (Fidel Ylli), kur ka qenë banakiere. Ai ma prezantoi. Te bar “Westi”. Aty u njohëm. Atëkohë pata botuar librin tim me poezi erotike, “Lakuriq”. Kur i lexoi, ajo mbeti pa mend. Të dija serioz, – më tha. Po serioz jam, – i thashë. Ja, kështu u njohëm, e u lidhëm. Por pastaj ajo iku në Itali. Qëndroi 8-9 vite atje. Tani ka ardhur. Më kishte kërkuar sa erdhi këtu…


Po si të gjeti?

Te “Kafe Europa”. E di ajo që unë aty rri gjithmonë…
Pano e tund kokën, dhe të bën të kuptosh se është i fortë me femrat..sië ka qenë gjithmonë tek e mbramja. Më tregon për një surprizë që i ka bërë sapo erdhi, kur kishte ditëlindjen dhe e tregon me një pasion prej adoleshenti. Duket është i kënaqur këto ditë të vona të pleqërisë. Të paktën sot këtë gjendje reflekton… E pyes për poezitë dhe frymëzimin…

Më the që shkruan në çdo kohë, e kudo që të jesh…
Po po… temën e kam në kokë sa herë dal e nisem për diku…

Ç’tema të shqetësojnë?
Temat e përditshme…një mall, një brengë, një dhembje, një shok burgu, një ish-dashnore, Lasgushi, Fishta…I kam njojtur. Fishtën e kam njojtur që nga koha e Zogut, se dajua im Thomai ka qenë shok i Fishtës, ka qenë deputet.
Po sa vjeç ke qenë atë kohë?
I vogël, por e mbaj mend. Unë jam ditëlindja 1928. Jam 82 vjeç sot.


Si e ke njohur Fishtën?

Mua më merrte dajua me vete. Ai më mbante mua si djalin e tij. Fishta vinte të kafe “Krusali”. Aty e kam njojtur. Aty kam njojtur edhe Lasgushin, me të cilin më vonë u bëra mik. Aty kam njojtur dhe Ali Asllanin. Ka qenë një kafe e bukur ajo, kafe borgjeze. Në një anë luhesh kumar, në një anë kishte këngëtare, serbe, maqedonase, greke. Ato këndonin, në anën tjetër pihej kafe…
Panos i pëlqen të arratiset në kujtime. E lë pak mënjanë temën që po flasim dhe nis e kujton kohën e fëmijërisë, kur njëherë, së bashku me kushërirat e kishin marrë me vete në dasmën e mbretit Zog. Isha veshur bukur. Kishte njerëz të fisëm përreth. Në nëj anë shërbehej plot luks për të pasurit e në një anë kazanët me gjëllë që shpërndaheshin për fukarenjtë…”. E pyes për kohën e luftës, e cila e gjeti Pano Taçin në moshën 11-vjeçare.

Pano, si e kujton Luftën?
Unë kam qenë partizan. Kam luftuar me brigadën 23, me komandat Hamit Keçi dhe komisar Xhavit Qesen. Të dy i futën në burg më vonë.

Pse?
Ishin kundërshtarë të Enverit. Nuk i deshi ai. Se Enveri nuk ka shkrepur një pushkë, thoshin atëherë.

Si e ke kaluar periudhën e komunizmit? Si jetoje?
Kam jetuar mirë. Mua më vinin 10 dollarë çdo muaj. Po ashtu edhe babait edhe gjyshes. Gjyshi ka qenë sekretar i Fan Nolit për kishën. Aty ka vdekur. Quhej Zoto Taçi. I kanë varret pranë e pranë me Fan Nolin.

Pano nis të tregojë një histori, ku shkrihen kohët e fillimit të diktaturës me rrëzimin e saj.
“Kur erdhi në Shqipëri ambasadori i parë amerikan pas shembjes së diktaturës William Ryerson, më vjen në shtëpi një sekretare e ambasadës dhe më thotë se më kërkonte ambasadori. Shkova në ambasadë dhe ai doli e më priti. Fliste shqip. Më tha: “E di kush ma ka mësuar shqipen mua? Jo, i thashë. Ke pasur një gjysh në Amerikë? Po, i thashë, ka vdekur në ’82-in. Ç’profesion ka pasur, më pyeti? Ka qenë jurist dhe ekonomist i diplomuar në Sorbonë – i thashë unë. Po,- më tha – ai është gjyshi yt.
Më pyeti nëse kisha ndonjë fotografi kur kam qenë i vogël, e kur gjyshi vinte në Shqipëri. Por unë nuk kisha asnjë fotografi. Ai mori një foto dhe ma tregoi. Isha unë me papion, i vogël, me pantallona deri poshtë gjurit, me një xhaketë të bukur. Nuk e njoha veten. Ai më tha ta shihja foton nga pas. Aty shkruhej: “Mallit të shpirtit tim, nipit tim të dashur Panos. Gjyshi i përmalluar, Zoto. 1941”. Kishte ardhur me pushime në atë kohë në Shqipëri kur e kemi bërë atë foto. E ruaj edhe sot e kësaj ditë.
E pyeta ambasadorin Ryerson, se si ishte njohur me gjyshin tim dhe më tha se e kishte njohur që kur kishte qenë fëmijë dhe familja kërkonte një jurist për kompaninë e tyre, për çështje që i lidhnin me Ballkanin. Gjyshi i kishte mësuar atij shqip.
“Më donte. Më thoshte gjithmonë: “Më kujton nipin tim Panon, që e kam në Shqipëri….”
Kur e pyeta se si më kishte gjetur mua këtu në Shqipëri, më tha: “Të kam gjetur përmes librit tënd të parë me poezi “Blerimi i thinjur. Një miku juaj kur kishte ardhur në Amerikë, e kishte lënë atë në bibliotekën e Shtëpisë së Bardhë”. U kujtova, se unë i kisha dhënë dy kopje libri Pandeli Koçit, që një kopje t’ia çonte Arshi Pipës dhe një kopje Isuf Luzit, profesorit tim…
Me Isufin kam korrespodencë, 33 letra ruaj prej tij. I kam letrat që më ka dërguar ai. Janë fantastike…. Në letrën e parë më shkruante: “O mall e dhembje e shpirtit tim. Sytë e mia të emigrantit s’janë krypur asnjëherë nga pika e lotit. Lexova “Blerimin e thinjur” dhe të faleminderit…Të paskish qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikanë, me Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”….

(Kur Pano e ndërpret këtë rrëfim, i kërkoj që të më tregojë vuajtjet e diktaturës.)

Kur të burgosën Pano?
Unë rashë në burg në ’47-ën.

Pse të futën në burg?
Po, sepse desha të ikja unë. Doja të ikja në Greqi, të kaloja kufirin e pastaj, që andej të ikja te gjyshi në Amerikë. Shkova në Gjirokastër, por kufirin nuk e dija. Mua më kishin përjashtuar nga shkolla për dashuri borgjeze…

Ç’ishte kjo dashuria borgjeze?

Doja vajzën e një gjenerali unë, që edhe ai më vonë hëngri kokën…Ishte vajza e Spiro Moisiut, Jolanda Moisiu. E kisha në bankë. Mirëpo nga që kishte kaluar koha e luftës dhe shkollat ishin të mbyllura kishim diferencë moshë. Ajo mund të ishte 3-4 vjet më e vogël se unë. Në fakt unë bëja shumë sjellje që nuk pëlqeheshin. Kam qenë nxënës i notës 10 absolute me përjashtim të disiplinës që e kisha 5, sepse unë gjithmonë hyja nga dera e dilja nga penxherja, ose hyja nga penxherja e dilja nga dera.
Kur bënin gjimnastikë, vajzave që më pëlqenin unë iu fusja nëpër çanta trëndafila, zambakë…, kurse atyre që grindeshin me mua ju bëja karamele ku fusja brenda kakardhi. Këto i’ua fusja në çantë….(Qesh me të madhe…). Mirëpo për këto gjëra, kështu, më përjashtuan nga shkolla mua, me motivacionin “dashuri borgjeze”.

Ç’ndodhi më pas?
Vrava mendjen ku të shkoja dhe vendosa të shkoj në Gjirokastër tek dajua, Thomai. Kur mbërrita atje dhe i tregova ai u habit. Po pse të kanë përjashtuar nga shkolla more, ç’ke bërë? “Për dashuri borgjeze”, i thashë, iu bëra një vjershë vajzave dhe sekretarja e rinisë e bëri problem. U mblodh këshilli pedagogjik dhe morën vendim të më përjashtojnë… Mos u mërzit më tha dajua… Rri këtë vit këtu në Gjirokastër dhe vitin tjetër e rregullojmë që të kthehesh prapë në shkollë. O po do të iki në Greqi, i thashë e që andej do të shkoj te gjyshi në Amerikë… Ç’thua more, mos u ndjej. I kishte thënë një shok që më kishin vënë njerëz pas e duhet të bëja kujdes. Por se dëgjova unë. U nisa dhe më kapën në Bularat. Më arrestuan. Më mbajtën nja pesë ditë në birucë. Pastaj më nxorën në gjyq dhe më dënuan për sjellje borgjeze në shkollë dhe në shoqëri, (pasi unë ndërroja një kostum paradite, një pasdite)… kapriçoz, deshi të linte atdheun…dhe më dënuan fillimisht 4 vjet, por pastaj ma shkurtuan në 2 vjet. Kështu bëra 2 vjet burg dhe pastaj më çuan në kamp internimi.

Ku të internuan?
Kampi i parë ka qenë i Valiasit, pastaj na çuan të hapnim kanale në bregdetin e Kavajës, pastaj të rinjtë i mbajtën, të moshuarit i kthyen në burg. Ne na çuan në Maliq të thanim kënetën. Aty kam njohur shumë personalitete të kulturës, që regjimi nuk i donte e që vuanin dënimet. Mes tyre njoha edhe Mitrush Kutelin. Kam shumë kujtime me ta. Dhe po i shkruaj kujtimet…

Janë kujtime që lidhen vetëm më ta?
Po. Jam duke shkruar një ditar që i kam vënë titullin “Unë dhe jeta ime”. Kam shumë kujtime me Lasgushin, ç’bisedoja, ç’bënim, ç’kujtonim, poezitë që më pëlqenin, ato që nuk më pëlqenin…


I ke shkruar që në atë kohë?

Disa po, disa të tjera tani vonë. Unë shkruaja në atë kohë, kur më kishin vënë si redaktor të përkthyesve në burg.


Të burgosën sërish? Si ndodhi?

Eh sa herë më kanë burgosur mua….U zura me ca oficerë të Sigurimit, se nuk pranova unë të votoj. Thashë nuk dua të votoj. Ishte viti 1951. Prej andej pastaj më internuan në Saver të Lushnjës. Aty kam qëndruar fillimisht i rrethuar me tela, se ishte kamp i mbyllur. Më vonë u bë kamp i hapur e mund të lëvizje. Aty kam qëndruar deri në ’60-ën. Pastaj u lirova dhe më dënuan prapë në ‘62 për agjitacion e propagandë, për poezi. Bëra 5 vjet atje dhe më internuan prapë. Më dërguan në Librazhd. Atje njoha Koçi Petritin.


Jetë shumë e vështirë….

Po, por kam mësuar shumë. Në burg mësova të saldoj, të montoj ndonjë gjë… Kur më sollën në Tiranë, më gjetën një punë në Uzinën e Autotraktorëve, ku atëherë montohej pjesa e re e traktorit. Punoja si montator. Por u ngrit Metalurgjiku dhe unë kërkova që të shkoja atje vullnetar. Mirëpo Maqo Bleta, kryeinxhinieri në Uzinë të Autotraktorëve më tha “mos shko, ku do të shkosh, këto të mbron Pilo (Peristeri), atje prapë në burg do të biesh ti”. Mirëpo e kundërshtoja unë. Shkova. Dhe në ’76-ën më arrestuan sërish. Këtë herë dënimi ishte më i gjatë. Plot dhjet vjet në burg. Në ’86 u lirova dhe pastaj vitet e tjera i kalova në internim sa në Peshkopi…gjithandej, me dëbonim, më mbanin larg nga Tirana.
Ka qenë periudhë e vështirë. Babai më kishte vdekur. Nëna më kishte vdekur. Edhe gjyshi në Amerikë…Më kishte ndarë edhe gruaja. Kisha një djalë që s’e takonja dot…


Në ç’vit je martuar Pano?

Në ’60-ën u martova, sapo dola nga internimi. Dasma u bë për vitin ri 1961. Por nuk kaloi shumë dhe unë rashë prapë brenda, në ’62-shin. Fëmijën e kisha tre muajsh. Atëkohë më ndau gruaja.


Takoheshe me djalin pasi dole nga burgu?

Nuk më linte ajo mua. Kishte frikë se ia merrja djalin. E kishte mësuar keq. Kur më takonte më thoshte “gangster, vagabond, je armik…”. Dhe unë i thoja “po kështu jam unë”. Ai qeshte. Ishte i vogël. Unë kisha të drejtë ta merrja djalin tim vetëm 2 orë në 15 ditë. Po dy orë ishin ato. Sa ta merrja, ta nxirrja në pazar, ta qerasja…Kishte qejf parfumet, ai më thoshte gjithmonë që t’ia blinja. Aq kohë ishte as që ç’mallesha me të. I shkoja në shkollë por më fshihej sa më shihte. Dhe kur i shkonja dhe i flisnja “po të kam çun unë ty” ai më thoshte “po, por unë nuk të dua. Ti je armik”. Kur ia kujtoj tani, qesh….

Ku jeton djali tani?
Është në Greqi. Është martuar ka dy vajza. I takoj herë pas here.

(Gjatë bisedës më bën përshtypje një fakt, pasi femrat që ka dashur nuk i quan të dashura, por dashnore. Pano ka një koncept të tijin për dashurinë, e për rrjedhojë edhe përcaktimet janë kaq pranë natyrës së tij të pazakontë.)


Pano, pse thua gjithmonë dashnore, dhe jo “e dashur”?

Po, dashnorja është tjetër dhe e dashura është tjetër gjë. Dashnorja është ajo, që të përkon me shpirtin tënd, ta do shpirti, brenda, thellë… E dashura është tjetër gjë, më e thjeshtë. Të dashura mund të kesh 10-15… plot. Kurse dashnore rrallë gjen.

Më duket koncept i kundërt me atë çka dëgjohet sot përreth…
E ke gabim. Dashnorja është dashuria…

Sa dashnore ke pasur në jetën tënde?
Unë kam pasur…
(Mendohet, pak, thith cigaren, dhe thotë me një ton nostalgjik…)
“Në fakt, kisha një në shkollë, gjirokastrite, vdiq ajo. Flora Kallanxhiu quhej. Ka qenë balerinë. Vdiq nga luçemia. Kishim miqësi familjare me të. E deshta shumë Florën…
Ka qenë një tjetër nga Himara. Familja e tyre jetonte me qira në shtëpinë tonë. Kishin një mbesë ata dhe gjyshja donte të më fejonte më të mua. Ishte partizane greke kjo. Por unë… vajta e gjeta këtë, me të cilën u martova. E gjeta në Lushnje, atje e kam njohur.

Tregon se si e ka njohur gruan me të cilën u martua, se si e pa një ditë në rrugë tek kthehej nga shkolla dhe e ngacmonte me fjalë, se si pastaj i shtyrë nga e ëma shkoi ën shtëpinë e saj dhe ngaqë i vinte turp iu tha prindërve të saj “kam ardhur të kërkoj vajzën tuaj për tim vëlla”. Mandej u zbulua se ishte Pano ai që do të martohej me të. Dhe ata nguruan. Se Pano ishte i internuar, i dënuar, ishte trazovaç, vagabond…Por siç thotë ai në fund u bindën dhe ia dhanë vajzën për grua…me të cilën nuk kaloi ndonjë jetë të lumtur, por të paktën, pati një djalë më të, e që u shndërrua në motiv për të jetuar…
Pano hesht herë pas herë tek përhumbet në kujtime, tregon një histori të ngatërruar me një të huaj, austriake që e kish njohur në internim, “e bukur perri, që ishte kapur rob në luftë”. Ajo kish ikur në Austri pasi ishte shembur diktatura, e tani e kujtonte me ndonjë letër a fotografi…Pastaj krejt befas Pano kujton dhe një histori nga rinia e hershme.

“Në Gjirokastër ka qenë Fazili Kokona. E kam dashur shumë. Atë e donte edhe Ismaili (Kadare) dhe Agim Shehu. Ishin në klasë më poshtë se mua ata. Ajo fliste me mua. Vinte të dajo Thomai. Unë vishesha bukur, serioz. Kurse Ismaili në atë kohë ka qenë i varfër dhe Agimi ka qenë kaçurrels, si një ari i vogël. Ajo ishte një brune kaq e bukur!!!…Me mua i pëlqente të bisedonte. Uleshim në park. Ismaili më fliste. Unë e ngacmoja… Që atëkohë jemi njohur me Ismailin. Ka qenë poet shumë i mirë që atëherë…

…Prej këtij momenti Pano i harron dashnoret dhe zë e flet për poezinë. Jemi diku nga fundi i bisedës tonë. Thotë se në Gjirokastër ka njohur edhe një poet që e kanë pushkatuar në ’47. “Ai më mësoi mua ç’ishte poezia, më mësoi ritmin, metrikën. Më mësoi Fishtën, Mjedën, Nolin, Çajupin, Naimin…Isha i ri unë atëherë. Shkruaja, por bejte ishin”.
Pano kthen një gllënjkë birrë, thith cigaren sërish dhe e kthen fjalën te Lasgushi. Poezitë e tij i ve mbi gjithçka. Kujton se si e ka parë një njëherë dhe i është afruar,pastaj e ka prekur me droje. “Njeri qenke? – i thashë. “Po njeri jam”, ma ktheu dhe qeshi…Më rrëmbenin shumë poezitë e Lasgushit. Kur e njoha më dukej sikur kisha prekur një ëndërr. Se këta poetët unë i quaja si perëndi, si njerëz të kaltër… Ashtu i përfytyroja gjithmonë, të kaltër…”