PJESA E PESËMBËDHJETË
Sapo Frangojanoja arriti në Kambia, në varg-malin
e lartë, duke gulçuar e me gjuhën jashtë, u ndal
dhe hodhi vështrimin në tatë-pjetën nga kishte
ardhur, me frikë se mos shikonte apo dëgjonte hijet dhe
hapat e xhandarëve të vraponin nga pas si qentë e
gjahut. Nuk dukej asgjë. Megjithatë nuk ndihej e sigurt.
Humbi në mendimet e saj. Ishte zhytur në llogaritjet
matematike: sa kohë të paktën do t’u duhej “njerëzve
të rendit” të vinin në vete nga hutimi për të
kuptuar se ç’ kishte ndodhur (të dytin nuk e pa, po e
imagjinonte). Ndofta do të kërkonin të dhëna nga
lehona, e cila e trembur nuk do dinte ç’ t’u thoshte. Po
edhe sikur të vraponin në stanin ku gjendej Liringua
me vjehrrën, do të humbisnin akoma më shumë kohë.
Pastaj do t’u duhej të hidhnin kapotat tutje e të fillonin
të gjitha vathët e stanet dhe të merrnin në pyetje të
gjithë barinjtë. Për të mirë e për të keq, morën me vete
dhe kapotat. Kur xhandari i parë shtyu portën e shtëpisë së
vogël, dalloi vetëm ca hije në mes të errësirës. Pastaj
dëgjoi zhurmën nga hapja e dritares, pa rrezet e dritës
që hynë që andej, një trup të zi, të kërrusur, të rrudhur,
pa formë, që i bllokoi ndriçimin dhe në fund dëgjoi
zhurmën e lehtë nga rënia. Nga dritarja e hapur dhe
drita që hynte nga porta, ai dalloi qartë lehonën të
shtrirë në krevat.
- Ç’po ndodh këtu? – bërtiti ai.
Lehona u zgjua dhe tha me një zë të shuar:
- Nënë, ti je?…Erdhe?
Login
Kategorite